FOTO/ Reshjet e dëborës – Mundësohet dërgimi në spital i një fëmije të sëmurë nga fshati Kolonjë

TIRANË, 10 janar/ATSH/- Një vajzë 5-vjeçare e sëmurë nga fshati Kolonjë u dërgua në spitalin rajonal të Gjirokastrës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “edhe pse fshati ishte i izoluar nga dëbora, vajza e vogël së bashku me familjarët e saj u transportua në spital nga një mjet zjarrfikës i Sektorit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi”.

Po gjatë ditës së sotme në spitalin e Gjirokastrës u dërguan edhe katër persona nga Përmeti dhe Këlcyra për trajtimin mjekësor me dializë.

Për shkak të intensitetit të reshjeve të dëborës, Gjirokastra ka shpallur gjendje emergjence dhe stafi i spitalit është në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve për emergjencat që lidhen me motin e ftohtë.

Ministria e Shëndetësisë është në gatishmëri për të gjitha emergjencat për shkak të situatës së vështirë në disa zona që janë të bllokuara prej reshjeve të dëborës./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.