Mosdekretimi i Cakajt, Rama me trupin diplomatik: Avaz i vjetër i Presidentit

99

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2310018032342772/

TIRANË, 10 janar/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama në takimin e tij të përvitshëm me trupin e huaj diplomatik në vendin tonë, është ndalur në një nga çështjet më aktuale politike, sikurse është edhe dekretimi i ministrave të rinj nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Pasi u uroi një vit të mbarë, Kryeministri Rama theksoi se “në kthim të pushimeve festive gjetët këtu një qeveri të re, por gjetët një Shqipëri si shembull avazi tanimë i vjetër i Presidentit të Republikës, i cili sërish refuzoi të dekretojë një ministër. Duke qenë se këtë radhë bëhet fjalë për ministrin e ri të MEPJ, unë nuk mund ta anashkaloja këtë fakt në këtë takim sonte”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama ftoi të gjithë ambasadorët e huaj që të krijojnë kontaktet me ministrat e rinj, duke theksuar se Bashkimi Europian pa strategjinë e zgjerimit është një proces i gjymtuar.

“Të gjithë së bashku do t’i japim procesit qeverisës një dinamikë të re, dhe, s’kam asnjë dyshim, që edhe vendit do t’i japim një progres edhe më të prekshëm gjatë këtij viti.

Ju ftoj të gjithëve ju, që të krijoni kontaktet tuaja me ministrat e rinj duke i përforcuar ato ekzistente me kolegët pararendës të tyre.

Do të na duhet në çdo plan, sinergji, sinergji mes nesh dhe jush, sinergji dinamike, konstruktive dhe shtendosëse duke filluar nga rajoni, sinergji ndërtuese në aspektin europian, i cili pa zgjerimin është një proces i gjymtuar dhe pa Ballkanin është një union i shpërfytyruar”, – theksoi Rama./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.