Meta refuzon emërimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm

TIRANË, 10 janar /ATSH/ – Presidenti Ilir Meta ka refuzuar propozimin për emërim të Gent Cakajt në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama për refuzimin, Meta thekson se, “Profili i z. Gent Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

“Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zv/ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”, thuhet në arsyetimin e Metës.

Presidenti Meta citon fraza të qëndrimeve të Cakajt lidhur me debatin e kufijve të Kosovës.
“… Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, përfundon citimi i Cakaj-t nga Presidenca.
Presidenti Meta i konsideron këto deklarata të rrezikshme dhe me pasojë të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Europian.

“Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend nëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”, thekson Meta. /j.p/

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.