Më 14 janar, ankandi i obligacioneve 10-vjeçare me vlerë 4 miliardë lekë

TIRANË, 10 janar /ATSH/- Banka e Shqipërisë njofton se ankandi i obligacioneve 10-vjeçare do të zhvillohet këtë muaj, më datë 14 janar, për një vlerë të shpallur prej katër miliardë lekësh.

Në ankandin e fundit, tetorin e vitit të kaluar, këto obligacione u emetuan me një kupon prej 6,8%. Aktualisht, kjo është alternativa më fitimprurëse e investimit financiar me rrezik të ulët në tregun shqiptar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të këtij muaji do të zhvillohet edhe emetimi i ri i obligacioneve me referencë 5-vjeçare. Sipas formulës së projektit të nisur korrikun e vitit të kaluar, në ankandet e obligacioneve 5-vjeçare mund të marrin pjesë vetëm pesë bankat e përzgjedhura si zhvilluese të tregut. Megjithatë, subjektet e interesuara mund t’i blejnë këta tituj në tregun dytësor. Në fillim të kësaj jave, kuotimi i yield-it fiks të këtyre obligacioneve ishte 3,75%. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.