Kryeministri Rama zbulon një tjetër pasion

TIRANË, 10 janar/ATSH/ – Krahas pikturës, Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për herë të parë një tjetër pasion të tij, atë të krijimit të veshjeve moderne me ndërthurjen e elementëve të artizanatit shqiptar.

Këtë dëshirë të fshehur të tij, Rama e bëri publike gjatë bisedës me kostumografen Edlira Sulaj, drejtuese e sipërmarrjes “Shtëpia e artizanatit”.

Këtë pasion, Kryeministri tha se do ta ushtronte pasi të largohet nga jeta politike.

Duke biseduar me kostumografen Sulaj, Rama tha se objektivi i tij i ardhshëm pas largimit nga politika do të jetë krijimi i një linje të veshjeve moderne duke ndërthurur elementë të traditës popullore shqiptare në to.

Sulaj shpalosi gjatë bisedës me Kryeministrin idenë për krijimin e një brandi shqiptar, ku siç tha ajo, mund të gërshetojmë elementët tradicionale në veshjet e përditshme.

Rama i kërkoi zonjës Sulaj të bashkëpunojnë për këtë projekt së bashku në të ardhmen.

“Për këtë pjesë do të bashkëpunojmë bashkë kur të iki nga kjo punë se ky është objektivi i jetës sime të tretë”, tha Rama.

Kryeministri iu drejtua punonjësve të sipërmarrjes se “kur të lë politikën do të merrem edhe unë me këto punë. Do të jemi bashkëpunëtorë në biznes”.

Veshjet popullore shqiptare trashëgojnë mjaft elementë që vijnë nga periudhat më të hershme të kulturës ilire, gjë që përcakton përkatësinë etnike të tyre.

Studimi dhe ruajtja e veshjeve popullore ka rëndësi jo vetëm për të njohur këtë pasuri të madhe kulturore, por edhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme etno-kulturore, veçanërisht për zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.