Gent Cakaj kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan

TIRANË, 10 janar/ATSH-Maela Marini/ “Gent Cakaj nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme, kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe nuk ka marrë përsipër të ndërhyjë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë, që i takon lidershipit të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në shtetin e Kosovës”.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama në pritjen e përvitshme me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Kryeministri shprehu keqardhjen që pasuesi i Ditmir Bushatit, një shqiptar i ri nga Prishtina, me një dituri të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i ardhshëm në një mënyrë tejet të pazakonshme, në pazakonshmërinë e mjedisit politik dhe publik.

“Paragjykimet dhe balta e terrenit politik shqiptar dhe mllefi i injorantëve kanë bërë për të prezantimin më të rrejshëm publik që mund të imagjinohet, përpara se ai të hapë gojën si ministër. Kanë shkelur dinjitetin e tij duke dhënë tri arsye: Sepse është shumë i ri, pra nuk i përket botës së tyre të vjetër; është shumë i pastër, nuk mund të akuzohet për asgjë dhe sepse është nga Prishtina. Pra një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, por si kosovar mund të përdoret si mish për top nga të gjithë ata, që haptaz ose nën rrogoz, i janë kundërvënë me vandalizëm verbal dialogut Kosovë-Serbi”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se nuk e ka zgjedhur Gent Cakajn si ministër, as si kosovar dhe as si  të ri, por si një shqiptar europian, pasionant për dijen, politikën dhe atdheun tonë të përbashkët.

“Gent Cakaj është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe prej kohësh punon me mua, fillimisht si këshilltar dhe më pas si zv/ministër që ka mbuluar Integrimin. Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë ose është keqdashës, ose keqlexues, ose të dyja bashkë. Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe nuk ka marrë përsipër të ndërhyjë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë, që i takon lidershipit të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në shtetin e Kosovës”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi po ashtu edhe rolin që ka luajtur ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në procesin e marrjes së kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria.

“Ministri Bushati ka luajtur një rol të veçantë në këtë proces, ashtu si edhe në shumë aspekte të tjera. Dua ta falënderoj me mirënjohje për shërbimin dinjitoz që i ka bërë Republikës së Shqipërisë. Ai dha më të mirën e tij në pozitën e ministrit dhe nga lartësia e një eksperience të konsiderueshme do të jetë një vlerë e shtuar e familjes sonë politike”, – tha Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.