Foto/ Moti i keq, katër qytetarë dërgohen në kohë në Spitalin e Gjirokastrës

TIRANË, 10 janar/ATSH/ – Katër qytetarë nga Këlcyra dhe Përmeti janë transportuar në kohë në spitalin rajonal të Gjirokastrës për të marrë shërbimin jetik të dializës.

Për shkak të intensitetit të reshjeve të dëborës, Gjirokastra ka shpallur gjendje emergjence dhe stafi i spitalit është në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve për emergjencat që lidhen me motin e ftohtë.

Ministria e Shëndetësisë është në gatishmëri për të gjitha emergjencat për shkak të situatës së vështirë në disa zona që janë të bllokuara prej reshjeve të dëborës.

Ditën e djeshme, infermierja Nazmie Demiri e Qendrës Shëndetësore Labinot-Katund në Elbasan ja doli të shpëtojë në kohë, nënën e re të bllokuar nga dëbora, e cila u ndihmua të sillte në jetë fëmijën e saj të dytë në ambientet e shtëpisë. ‬

Po kështu, një tjetër nënë e re u transportua me urgjencë nga Malësia e Madhe, një zonë e izoluar nga dëbora drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku solli në jetë shëndosh e mirë, falë ndërhyrjes në kohë të mjekëve Senad Halluni dhe Dritan Barbullushi. /tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.