VARSHAVË – Salvini: Polonia dhe Italia do të udhëheqin pranverën e re europiane

VARSHAVË, 9 janar /ATSH-AFP/ – Zëvendëskryeministri italian, njëkohësisht ministri i Brendshëm, Matteo Salvini deklaroi sot në Varshavë se Italia dhe Polonia do të ishin protagonistët e pranverës së re europiane me synimin për të reformuar Bashkimin Europian.

Zyrtari italian i dha këto deklarata në prani të medias, përpara një takimi në mesditë me Jaroslaw Kaczynski, lideri shumë i fuqishëm i Partisë Konservatore nacionaliste ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS, në pushtet).

”Ai mund të diskutojë gjatë takimit për një bashkëpunim të mundshëm në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme në Parlamentin Europian”, raportonte së fundmi e përditshmja italiane ”Reppublica”.

”Ndërsa Europa është mësuar për vite me radhë të flitet për aksin franko-gjerman, ne po përgatitemi të kemi një ekuilibër të ri dhe një energji të re në Europë”, pohon Salvini i cili mban gjithashtu postin e liderit të Ligës, një parti e ekstremit të djathtë, pas një takimi me ministrin e Brendshëm polak, Joachim Brudzinski./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.