Shkodra mbulohet nga dëbora, rrugët të kalueshme

TIRANË, 9 janar/ATSH/- Reshjet e dëborës të rëna gjatë natës në Shkodër kanë zbardhë qytetin, ku trashësia e dëborës është 3-4 cm, si dhe njësitë administrative të tij.

Bashkia e Shkodrës bën të ditur se “administrata dhe ndërmarrjet e varësisë kanë qenë në gatishmëri që në orët e para të mëngjesit. Brenda qytetit, punonjësit e Ujësjellës- Kanalizimeve kanë nisur punën me 7 fadroma dhe mjete të tjera, që kanë në dispozicion për hapjen e rrugëve dhe për shpërndarjen e kripës”.

“Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Pyjore dhe Kullosore dhe të te sektorit të ndriçimit kanë nisur në mëngjes herët punën për hedhjen e kripës në rrugët dhe trotuaret e qytetit, pranë spitaleve dhe në hyrje të shkollave. Vëmendja është përqendruar në rrugët kryesore të qytetit dhe pastrimin e trotuareve në afërsi të institucioneve të rëndësishme si spitali, shkollat etj”, thekson bashkia.

Sipas raportimeve të deritanishme nga njësitë administrative të Bashkisë së Shkodrës, situata paraqitet si më poshtë:

Në Njësinë Administrative Dajç rrugët janë ta kalueshme, nuk paraqiten probleme, në Njësinë Administrative Ana e Malit dëbora ka një trashësi 4-5 centimetër, nuk ka probleme për qarkullimin.

Në Njësinë Administrative Postribë firma kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve po punon me dy fadroma. Një fadromë po punon për pastrimin e rrugës nga Ura e Bardhajve drejt fshatit Postribe, ndërsa një tjetër nga Pulti në drejtim të Mesit.

Në Njësinë Administrative Guri i Zi rruga nacionale është e kalueshme pa probleme, në fshatrat Rragam dhe Sheldi lëvizja është më e vështirë. Në shkollat e këtyre fshatrave nuk zhvillohet mësim.

Në Njësinë Administrative Velipojë rrugët janë të kalueshme, mësimi në shkolla vazhdon normalisht, kurse në Njësinë Administrative Pult trashësia e dëborës është 20 cm, në qafën e Malit të Shoshit trashësia është 30 cm. Rruga është e kalueshme dhe një fadromë është në gatishmëri për çdo eventualitet.

Në Njësinë Administrative Shosh në fshatra trashësia e dëborës është 15- 20 cm dhe reshjet vazhdojnë. Rruga momentalisht është e kalueshme me zinxhirë. Shkollat nuk janë hapur nga vështirësitë e krijuara nga dëbora.

Në Njësinë Administrative Rrethina reshjet e dëborës nuk kanë shkaktuar probleme në qarkullim. Mësimi në shkolla vazhdon normalisht, qendrat shëndetësore janë në punë.

Në Njësinë Administrative Berdicë rrugët janë të gjitha të kalueshme pa probleme. Mësimi në shkolla vijon normalisht, qendrat shëndetësore janë të hapura./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.