Qytetari përfiton pension të plotë dhe tepricat kreditore

TIRANË, 9 janar /ATSH A.ALLA/ – Qytetari Mexhit Hakcani pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes ”shqiperiaqeduam.al” për mosllogaritjen e 8 viteve punë përfitoi tepricat kreditore që i takonin brenda pesë ditëve.

Qytetari Mexhit Hakcani, ankohej për mosllogaritjen e 8 viteve pune, gjatë të cilave ka punuar në ish-kooperativën bujqësore Baldushk, duke përfituar në këtë mënyrë një pension të pjesshëm.

Gjithashtu, ai i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë në korrik të vitit 2018, por përgjigja ka qenë negative. Marrë shkas nga kjo ankesë, u kërkua riverifikim në Drejtorinë e Arkivit Qendror Lundër, ku u konfirmua periudha 1983-1990 e pretenduar nga Hakcani.

DRSSH Tiranë bëri rillogaritjen e përfitimit dhe vjetërsia totale shkon në 34 vite e 8 muaj nga 27 vite e 9 muaj, duke kaluar nga pension i pjesshëm në pension të plotë.

Gjithashtu u llogarit teprica kreditore për periudhën e përfitimit në shumën 77.091 lekë.

Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, qytetari Mexhit Hakcani u shpreh se, ”pas shumë refuzimesh për përfitimin e viteve të punës që më takonin iu drejtova platformës dhe falenderoj Kryeministrin që brenda pesë ditëve më zgjidhi problemin duke marr përgjigjen e duhur”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.