Prokuroria: Procedim penal për gjyqtarin Roland Hysi

TIRANË, 9 Janar /ATSH/ -Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka shpallur procedim penal kryesisht për gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, duke u nisur nga pamjet filmike të transmetuara në datën 08.01.2019 në emisionin “Stop” të televizionit “Klan”.

Prokuroria ka regjistruar procedim penal për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë”.

Prokuroria bën të ditur se në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë duke u kryer veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.

Gjyqtari i Fierit, Roland Hysi tregohej në një video të transmetuar nga emisioni “Stop” se i kërkonte favore seksuale një qytetareje për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.