Pajisje teknologjike për shkollën e mesme  profesionale  “Adem Gllavica” 

PRISHTINE, 9 janar /ATSH/ -Fondacioni i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë i dhuron Shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica” në Lipjan një donacion në pajisje të teknologjisë së informacionit dhe orendi të tjera, bëri të ditur OAEK përmes një njoftimi për media.

Donacioni përfshin kompjuter desktop, karrige, si dhe një printer, ndërsa do të bëjë të mundur pajisjen elementare të një laboratori për qëllime të ushtrimeve praktike nga lëndët e ndërmarrësisë dhe ekonomisë.

Me rastin e dhurimit të donacionit, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se iniciativat si këto kanë për qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit e shkollave kosovare me qëllim të përgatitjes më të mirë të tyre për tregun e punës, ndërsa falë mbështetjes së vazhdueshme të anëtarëve të Odës Amerikane, përkrahja e tillë do të vazhdojë përgjatë tërë vitit 2019.

Fondacioni i Odës Amerikane funksionon nga viti 2012, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të këtij Fondacioni dhurohen për qëllime të edukimit të të rinjve, posaçërisht të atyre në viset rurale të Kosovës. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.