Moti i keq/ Të gjitha rrugët rurale të kalueshme në Lezhë

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit i gjithë territori i Bashkisë Lezhë është përfshirë nga reshje shiu, erëra të forta dhe reshje dëborë ku nuk kanë munguar edhe ngricat.

Situata nuk paraqitet problematike, duke përjashtuar Njësinë Administrative Ungrej, ku reshjet e dëborës sjellin vështirësi në qarkullim pranë Kreshtës, pikë në të cilën Bashkia Lezhë këshillon lëvizjen me shumë kujdes dhe shmangien e lëvizjes sidomos me automjete të vogla.

Ndërkohë të gjitha rrugët e tjera rurale janë të kalueshme, ndërsa furnizimi më ujë të pijshëm vijon normalisht.

Bashkia Lezhë ka ngritur në nivel vendor Shtabin e Emergjencave dhe po monitoron të gjithë territorin për të shmangur çdo problematikë të mundshme duke ndjekur nga afër çdo situatë.

/m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.