Reshjet e borës, Balla në Qafë Thanë: ARRSH po punon me intensitet për mbarëvajtjen e situatës

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Një situatë e pazakontë e motit ka përfshirë edhe Shqipërinë e Mesme këtë të mërkurë. Të gjitha njësitë e qeverisjes dhe nënkontraktorët e rrugëve janë në terren dhe po punojnë për mbajtjen nën kontroll të situatës.

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Drejtori i ARRSH Afrim Qendro dhe prefekti i Qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj ishin në Qafë Thanë për të parë nga afër situatën në këtë zonë.

“Jemi këtu për të parë nga afër situatën. E vërteta është se reshjet janë të një intensiteti që rrallë herë na ka rënë rasti ta shohim. Është punuar me intensitet dhe vazhdon të punohet, por dua t’i bëj thirrje drejtuesve të mjeteve ta përdorin këtë aks vetëm në rast emergjence, pasi pavarësisht punës që po bëhet ende ka segmente ku ka vështirësi. Shtabi Kombëtar i Emergjencave dhe ai lokal janë më gatishmëri për të përballuar çdo situatë”, tha Balla.

Edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar bëri thirrje për kujdes të veçantë sidomos në aksin Elbasan-Kapshticë: “Jemi në një situatë të vështirë dëbore, pothuajse në të gjithë Shqipërinë, por më të përqendruara në zonën e Librazhd-Korçës. Aktualisht të gjitha akset janë të hapura, të gjithë kompanitë janë në terren, policia gjithashtu. U bëj thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes pasi situata e motit nuk është normale”, tha Qendro.

Vështirësi paraqet edhe aksi nacional Librazhd-Peshkopi ku rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, ndërsa nga ana e emergjencave pranë bashkive po punohet për zhbllokimin e fshatrave.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.