MALTË – Muscat: Marrëveshje për zbarkimin e 49 migrantëve

VALETA, 9 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri maltez, Joseph Muscat njoftoi sot gjatë një konference shtypi për arritjen e një marrëveshje në mënyrë që 49 migrantë në bordin e dy anijeve të OJQ-ve gjermane në brigjet e Maltës të mund të zbarkojnë.

Anijet e OJQ-ve gjermane ‘’Sea-Watch’’ dhe ‘’Sea-Eye’’ ndodheshin në ujërat malteze prej disa ditësh në pritje të një porti të sigurt që do të mund t’i hapte dyert.

Disa ditë më parë, papa Françesku u përfshi në konfliktin në lidhje me dy anije me migrantë të shpëtuar në Mesdhe nga organizatat joqeveritare gjermane, anijeve të të cilave u ishte ndaluar ankorimi.

“Dy anije të OJQ-ve mbajnë 49 persona prej shumë ditësh. I bëj një thirrje të dëshpëruar krerëve europianë të shteteve dhe qeverive, që të tregojnë solidaritet konkret për këta njerëz”, deklaroi Papa.

Malta dhe Italia, të cilat kanë mbajtur prej shumë vitesh barrën e migracionit detar që vinte nga Afrika Veriore, kanë mbyllur portet e tyre për anijet e OJQ-ve në përpjekje për të stepur emigrantët në përpjekjet e tyre për të ardhur në Europë nëpërmjet kësaj rruge./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.