Foto/Peqin-Zhelinë, aplikime të përbashkëta për projektet në turizëm dhe kulturë

TIRANË, 9 janar/ATSH/-Në kuadër të programeve ndërkufitare Shqipëri-Maqedoni respektivisht të fondeve IPA, bashkia e Peqinit nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me komunën e Zhelinës, Maqedoni.

Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu dhe nënkryetari i bashkisë së Peqinit, Julian Manahasa. Komuna e Zhelinës dhe Peqinit, u dakorduan që bashkërisht të aplikojnë në projekte të fushës së turizimit dhe Kulturës.

Me fokus trashëgiminë kulturore, projekti për Peqinin konsiston në restaurimin e Kalasë dhe rrugës Egnatia, ku themelet e kalasë së Peqinit i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia” dhe më pas është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit turk.

Komuna e Zhelinës do të prezantohet me Projektin e Shtëpisë së kulturës në Zhelinë dhe Festivalin e trashëgimisë kulturore. Projektet rajonale janë me rëndësi në kuadër të forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

Fondet IPA (asistencë para-aderimit) është instrument i financuar nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. IPA synon të mbështesë vendet kandidate dhe kandidatët potencialë në implementimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike të nevojshme për të sjellë vendet më pranë Bashkimi Europian. z.tosku/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.