FOKUS – Parlamenti maqedonas fillon debatin për ”Marrëveshjen e Prespës”

88

SHKUP, 9 janar /ATSH-MIA/ – Shumica prej dy të tretash për amendamentet kushtetuese mbetet e pasigurt, para fillimit të sotëm të seancës plenare në parlamentin e Maqedonisë ku do të votohet përmbyllja e zbatimit të ”Marrëveshjes së Prespës” për ndryshimin e emrit të vendit të vogël ballkanik.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në takimin e djeshëm me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela deklaroi se e ka pranuar propozimin e Selës lidhur me pjesën e preambulës “qytetarët që jetojnë në kufijtë”, duke potencuar se formulimi i fundit do të jetë “qytetarët e Maqedonisë, populli maqedonas dhe një pjesë e popullit shqiptar, një pjesë e popullit turk, një pjesë e popullit vlleh…”.

Zaev tha se në takim është konfirmuar se Aleanca për Shqiptarët do të japë mbështetje për amendamentet kushtetuese dhe procesin kushtetues në Kuvend, duke shprehur bindje se e njëjta do të ndodh edhe prej BESA-s.

Sela pas takimit tha se është arritur marrëveshje me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev sa i përket kërkesave të Aleancës për Shqiptarët në lidhje me kërkesat e ASH-së.

“Jemi krenarë si Aleancë për Shqiptarët që me kontributin tonë kemi bërë të paktën që fjalia e parë e Kushtetutës, Preambula, të heq padrejtësinë e definimit të gjërave në formën e dy kategorive të qytetarëve”, tha Sela duke shtuar se në Preambulë është hequr pjesa “që jetojnë” ndërsa sot është arritur marrëveshja të hiqet fjalia “si dhe qytetarët që jetojnë në shtet”.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dje para takimit të Komitetit punues për eurointegrime në pyetjen e gazetarëve për të komentuar kërkesat e BESA-s dhe Aleancës për Shqiptarët lidhur me ndryshimet kushtetuese theksoi se ai nuk konsideron që partitë politike shqiptare janë pjesë e atyre faktorëve që dëshirojnë ta shkatërrojnë procesin, por përmendi se shërbimi më i keq që për momentin do t’u bëhej shqiptarëve është të jepet porosi se ata e frenojnë anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

“Nuk ka interes më të rëndësishëm etnik për shqiptarët se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Ai është interes më i madh dhe më thelbësor i shqiptarëve mbi çdo interes tjetër etnik për momentin, sepse ai është garanci se shqiptarët do të jenë pjesë e familjes evropiano-perëndimore të vlerave, pjesë e të cilës me gjenerata synojnë të jenë”, tha Osmani.

Kryeministri Zaev shfaqi optimizëm se megjithatë do t’ia dalë ta sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvendin e Maqedonisë para votimit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme për zbatimin e ”Marrëveshjes së Prespës”.

“Dy partitë opozitare të bllokut shqiptar deri më tani ishin konstruktive lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese. Një pjesë e sugjerimeve të tyre janë vendosur. Të gjitha partitë politike fuqishëm e mbështesim procesin e eurointegrimeve, por me ta do të bisedojmë edhe për ato çështje për të cilat kanë rezerva”, deklaroi ai.

Kërkesat kryesore të BESA-s janë që të saktësohet se shteti nuk është monoetnik, siç implikon pjesa “shtetësi maqedonase” si edhe në pjesën e diasporës. Nga Aleanca kërkojnë që gjuha shqipe dhe shkrimi i saj të përdoren në gjithë territorin e vendit, dhe pas fjalëve “e pavarur, sovrane” të shtohet fjala “multietnik”, ndërsa fjalët “populli maqedonas” të zëvendësohen me “qytetarë”, që të theksohet karakteri multietnik i shtetit.

Në ndërkohë, tetë deputetët e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së paralajmëruan se nuk do t’i japin mbështetje shumicës në pushtet dhe nuk do ta japin votën “pro” ndryshime kushtetuese nëse Qeveria vendos ta pranojë kërkesën e BESA-s, termi “maqedonas” të fshihet prej dokumenteve, pasi vlerësojnë se është në kundërshtim me garancitë për përforcimin e identitetit./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.