Asistoi në lindjen e fëmijës në kushte shtëpie, Balla përgëzon infermieren

TIRANË, 9 janar/ATSH-E.Caushi/ – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla” ka përgëzuar infermieren e qendrës shëndetësore Labinot-Katund në Elbasan, e cila asistoi në lindje një nënë të re po nga ky fshat.

Sipas Ballës, kushtet e vështira të motit e bënë  të vështirë transportin e nënës drejt spitalit, por asistimi në lindje shkoi mirë dhe pa asnjë komplikacion.

“Mirënjohje infermieres Nazmie Demiri në Qendrën Shëndetësore Labinot-Katund në Elbasan, e cila ja doli sot të asistojë me shumë sukses një nënë të re nga ky fshat në lindjen e fëmijës. Për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës dhe bllokimit të përkohshëm të rrugës u bë i pamundur transporti në kohë në Spitalin e Elbasanit. Prandaj infermierja Nazmie Demiri mori përsipër lindjen e fëmijës së dytë të nënës Luljeta Cora në Labinot-Katund, e asistuar edhe nga infermierja e dalë në pension Ismete Allushi. Ardhja në jetë e bebes kaloi pa asnjë ndërlikim dhe me hapjen e rrugës nëna dhe bebja e porsalindur u transportuan nga autoambulanca në Maternitetin e Elbasanit për të vijuar trajtimin e nevojshëm të specializuar. Urime familjes Cora! Mirënjohje infermieres Nazmie Demiri!”, shprehet Balla.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u ka ardhur në ndihmë banorëve të cilët kanë patur vështirësi në lëvizjen drejt qendrave shëndetësore ose spitaleve, për shkak të motit të keq që ka kapur vendin prej disa ditësh. Personeli i shëndetësisë është në gatishmëri të plotë në ndihmë të banorëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.