Ahmeti për gjobat online të policisë: Me foto dhe e argumentuar

TIRANË, 9 janar /ATSH-A. Fortuzi/- Gjatë vitit 2018 janë shënuar më pak aksidente fatale se në vitin 2017, në Tiranë, çka tregon se puna e policisë rrugore ka sjell rritje të sigurisë rrugore.

Erjon Ahmeti, Drejtori i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës sqaron se, falë punës së bërë nga Policia rrugore e Tiranës janë regjistruar më pak aksidente me pasoja fatale, sesa 12 mujorin e vitit 2017.

Po ashtu, gjatë një interviste televizive, Ahmeti sqaroi dhe risinë që do të sjellë policia gjatë këtij viti, që sipas vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Sandër Lleshit, masat administrative (Gjobat) do të dërgohen online.

“Ne kemi ndjekur me rigorozitet planin e punës të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, por dhe ajo vendore Tiranë. Rezultatet tregojnë se siguria rrugore është rritur dhe për këtë jemi të kënaqur”, u shpreh Ahmeti.

“Kemi regjistruar rreth 12 persona të plagosur më pak në vitin 2018 se dy vite më parë. Në 2018-ën kemi shtatë të vrarë më pak në rrugë. Ne vazhdojmë sipas planit dhe kemi si qëllim të vijojmë dhe politikat sensibilizuese me qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve”, tha Ahmeti gjatë intervistës.

Ahmeti u shpreh se gjoba së shpejti do të bashkëshoqërohet me foto dhe e argumentuar.

“Bashkëlidhur me gjobën kundra-vajtjes, do të vijë edhe një foto në adresë të qytetarit. Fleta e gjobës do jetë me foto dhe e argumentuar. Mënyra e kontrollit të tanishëm është një risi në këtë pjesë. Trafiku është një pjesë e përditshme e punës sonë, ka edhe menaxhimin, sidomos në atë pjesë rrugore që ka ngarkesë”, u shpreh ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj në fund të vitit 2018 urdhëroi policinë rrugore të mos patrullojnë më në akset rrugore apo kryqëzime, por të përdorin teknologjinë dhe të vendosin masat administrative, gjobat online. Kjo do të ulë korrupsionin, si dhe do mënjanoi konfliktet që mund të hasen mes oficerit të policisë që patrullon në rrugë dhe drejtuesin e mjetit të ndaluar nga oficeri i policisë. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.