Ulja trefish e taksave rrit punësimin dhe investimet

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në një sipërmarrje të përpunimit të drurit dhe të arredimit në Kashar, që falë uljes trefish të taksave do të rrisë punësimin, pagat dhe investimet zhvilluese.

Biznesi është krijuar dhe drejtohet nga një sipërmarrës, që, punën dhe përvojën e 24 viteve në emigracion e ka investuar në Shqipëri. Biznesi, i cili po konsolidohet nga viti në vit, duke rritur gradualisht edhe xhiron vjetore, do të përfitojë nga lehtësia më e fundit fiskale e qeverisë, tatimi mbi fitimin nga 15 në 5%, si rezultat i rritjes së pragut të xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë, të cilën sipërmarrësit e shohin si një mundësi për të zgjeruar aktivitetin dhe për të investuar në teknologji moderne.

Duke inkurajuar sipërmarrësit që të rrisin numrin e të punësuarve, Kryeministri tha se me rritjen e xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë që përfiton nga tatimi mbi fitimin 5%, biznesi i vogël çlirohet nga informaliteti dhe deklarimet abuzive, të cilat bëheshin për të mos paguar detyrimin prej 15% të tatim-fitimit.

“Uljen e taksave ne donim ta bënim më përpara por si kemi pasur mundësitë. Janë krijuar mundësitë për ta bërë dhe e gjithë ideja kjo është. Atë që ndodhte në pragun 80 milionë lekë, aty ku praktikisht ezaurohej vetëm me 5% taksa mbi fitimin dhe pastaj kalonte në 15%, e shmangëm”, – tha Rama.

Sipas tij, aty ishte një fashë e tërë që kishte hile, informalitet, gënjeshtra. “Tani kjo fashë çlirohet komplet sepse deri në 140 milionë dollarë xhiro në vit me 5% taksë, nuk e ka asnjë vend i rajonit”, – tha Kryeministri.

Kjo, sipas tij, do të nxisë punësimin pasi bizneset do të rrisin investimin për t’u zgjeruar, sepse nuk do të kenë më frikë se po kaluan këtë prag do t’u rritet trefish taksa.

“Na interesojnë shumë këto lloj investimesh prodhuese që janë shumë pozitive për tregun vendas por edhe për eksportet, sepse ka shumë sipërmarrje të tilla që kanë kapacitetet profesionale për t’iu përgjigjur eksporteve”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë kërkoi nga këta sipërmarrës që ta ndajnë fitimin me punëtorët, në mënyrë që këta të fundit ta ndiejnë aktivitetin si pjesë të tyren. “Aty ku punëtorët ndihen aksionerë të ndërmarrjes apo pjesëmarrës pasi pronari kujdeset edhe për disa aspekte përtej rrogës, aty kompanitë ecin shumë mirë dhe ka njerëz me energji pozitive që të japin gjithçka nga vetja”, – tha Rama.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj u shpreh se “këto janë biznese të reja të krijuara nga emigrantët, të cilat njohin rritje çdo vit”. Ne këtë, tha ai, e kemi vëzhguar nga tatimet se si rritet xhiroja./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.