Gjirokastër, garantohet ngrohja në shkolla

TIRANË, 8 janar/ATSH/- Në këto ditë të ftohta dimri në qarkun e Gjirokastrës ku mbizotëron një mot i paqëndrueshëm, me reshje dëbore, ngrica dhe temperatura të ulëta fëmijëve të shkollave u janë garantuar kushtet e ngrohjes.

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, inspektoi sot disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme për të parë nga afër situatën e sistemit të ngrohjes në këto institucione të arsimit.

“Gjatë ditës së sotme zhvilluam një kontroll në shkollën ““Sëbashku” në lagjen “Zinxhira”  të qytetit të Gjirokastrës, ku klasat ishin të pajisura me ngrohje (soba me
dru) të cilat punonin me kapacitet të plotë”, tha për ATSH-në prefekti Aliaj.

Ndërsa, vijoi ai, në Njësinë Administrative Lazarat, në shkollën fillore “Baba Rexhepi” dhe shkollën e mesme “Muhamet Gjollesha” klasat ishin të pajisura me ngrohje pavarësisht mungesave në nxënës për shkak të temperaturave jo të favorshme për ndjekjen e lëndëve mësimore.

Prefekti u shpreh se “këto shkolla ngrohen me dru dhe furnizimi i tyre me lëndë drusore është bërë më herët për të përballuar pikërisht stinën e dimrit, por do të vijojë edhe gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë mësimin në kushtet e duhura”.

Një ndër kërkesat e Prefektit të Gjirokastrës për marrjen e masave nga të gjitha strukturat për këto ditë me temperatura të ulëta është edhe sigurimi me dru dhe lëndë djegëse për ngrohje të shkollave të qarkut. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.