FOTO/ Muzetë e Beratit mirëpresin vizitorët e parë të vitit

211

TIRANË, 8 janar /ATSH/ – Temperaturat e ulëta të ditëve të para të janarit nuk i kanë ndalur turistët të vizitojnë vendet tona të trashëgimisë kulturore që tashmë janë kthyer në atraksione mjaft të pëlqyera.

Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik, Berat kanë mirëpritur vizitorët e parë të vitit 2019. Këto muze përherë e më shumë po tërheqin turistë vendas dhe të huaj pasi aty ndërthuret historia dhe objekte që tregojnë kulturën dhe traditën tonë.

Viti 2018, shënoi rreth 60 000 vizitorë në muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeve duke u renditur si një vit suksesi.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat, është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. /a.a/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.