Qendra shëndetësore në Allias, shërbim dhe kushte më të mira për qytetarët

TIRANË, 7 janar/ATSH-Maela Marini/ Qendra Shëndetësore në Allias, Tiranë, është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të Programit Kombëtar të 300 qendrave moderne shëndetësore. Faza e dytë e këtij programi nis këtë vit me 100 qendra të tjera.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot këtë qendër të rindërtuar nga e para, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Qytetarët u shprehen shumë të kënaqur nga shërbimi dhe kushtet pas rikonstruksionit.

Ndërkohë edhe për vetë mjekët që punojnë në këtë qendër, përmirësimi rrënjësor i kushteve sjell komoditet për fëmijët, prindërit dhe mjekët.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje faktin se “kjo qendër ka tani të gjitha standardet dhe i përgjigjet qytetarëve edhe me disa shërbime suplementare, përveç shërbimit parësor”.

Qendra, tha ajo, ofron shërbim 24-orësh tani në periudhën e dimrit. “Në kuadër të programit tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, këtu ka tashmë gjithë standardet. Prindërit marrin një shërbim shumë më të mirë. Kemi vendosur që 4 qendra në Tiranë të funksionojnë për të plotësuar pediatrinë e QSUT-së, duke qëndruar hapur 24 orë. Një ndër to është edhe qendra shëndetësore numër 10. Ndërkohë mjekët e të gjitha qendrave shëndetësore ofrojnë gjithashtu edhe shërbim në pediatrinë e QSUT-së”, – tha Manastirliu.

Ajo informoi se “aktualisht po kryhet vaksina e gripit për të moshuarit, fëmijët dhe personelin mjekësor, për të cilët ofrohet falas”.

“Kemi futur rezervimin elektronik që ndihmon që në qendrat e specialiteteve t’i zgjedhin qytetarët ditën dhe kohën kur dëshiron të kryesh një vizitë, duke shmangur burokracitë.
Qendra ka 46 mjekë, ndërkohë që ka dhe tri pika të tjera ambulance satelite më në brendësi. Në këtë mënyrë mbulohet gjithë shërbimi. Nuk kemi mungesa me mjekë dhe çfarë është më e rëndësishme, është se kemi mjekë specialistë kardiologë e kirurgë”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, “në vitin 2018 janë 428 mijë qytetarë që kanë bërë kontrollin mjekësor bazë, ose 90% e planifikimit”. “Kjo është një ndër qendrat që mban kampion, sepse ka rendiment 109,9% me kontrollin mjekësor bazë”, – tha Ministrja.

Po ashtu, ajo vuri në dukje rëndësinë e referimit elektronik për çdo qytetar, që e ka të nevojshme të bëjë një konsultë më të specializuar te specialisti.

“Deri më parë qytetarët shkonin dhe prisnin radhën. Sot e bëjnë direkt përmes referimit elektronik. Ky është viti i parë i planifikimit të referimit elektronik. Do të rrisim fashën orare për mjekët me 25%. Duke bërë këtë dhe duke mos lejuar që të shkojnë pa referuar, shmangim burokracitë dhe ecejaket dhe i japim mjekut një lloj normimi të punës që ai bën. Duke qenë se duam të shkojmë te pagesat për performancë, pa e ditur normimin nuk mund të shkojmë aty. Kjo do të na lehtësojë”, – tha Manastirliu.

Përmirësimi i kushteve në këtë qendër shëndetësore është mirëpritur nga prindërit dhe qytetarët, të cilët ndihen të sigurtë për shërbimin që ofron kjo qendër.

“Kushtet janë të përmirësuara. Fëmijët ndjehen komodë. Ambientet janë më të rregullta më të pastra. Ne prindërit ndihemi pa merak tani dhe më të sigurt për shërbimin”, – thotë një nënë e re.

Ndryshimi është i dukshëm, në mënyrë të veçantë për banorët që prej shumë vitesh marrin shërbimin këtu. “Jam banore e kësaj lagje që prej 18 vitesh. Më përpara ambientet kanë qenë me lagështirë. Tani kanë ndryshuar gjërat tërësisht.”

“Kam një muaj që kam ardhur nga Amerika dhe standardet e kësaj klinike janë njësoj si ato andej. Duket pothuaj njësoj”, – shprehet një tjetër qytetar. 

Ndërkohë që mjekët, e sidomos ata që punojnë prej vitesh në këtë qendër, janë optimistë për faktin se me përmirësimin e kushteve rritet edhe cilësia e shërbimit.

“Kam që prej vitit 1986. Një ndryshim shumë i madh. Është një përmirësim rrënjësor i kushteve. Është një komoditet i madh për fëmijët, për prindërit dhe njëkohësisht edhe për ne mjekët”, – shprehet një prej tyre. /j.p/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.