Parandalimi i përmbytjeve, vendosen dy “tombino” në segmentin Tiranë-Qafë Kashar

TIRANË, 7 janar /ATSH/ – Prej disa ditësh po punohet për ndërtimin e dy “tombinove” që pritet të zgjidhin problemin e përmbytjeve në segmentin rrugor Tiranë-Qafë Kashar.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektuan punimet.

“Jemi duke bërë një ndërhyrje për shkak të përmbytjeve që kanë ndodhur vitin e kaluar. Është bërë një studim hidrik për gjithë këtë pjesë të autostradës dhe ka rezultuar si nevojë emergjente vendosja e dy tombinove”.

“Këto dy tombino, bashkë me pastrimin e kanaleve do të bëjnë të mundur që sasia e reshjeve në maksimumin e tyre të mos krijojë më përmbytje në autostradë”.

“Punimet po bëhen tani, sepse nuk dëshironim të bëheshin gjatë dhjetorit për shkak të trafikut të rënduar të festave”, u shpreh drejtori i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro.

Ai tha se edhe në segmentin nga mbikalimi i Kasharit, dhe deri në Vorë do të bëhen ndërhyrje për pastrimin e “tombinove”.

Ndërkohë Ministri në detyre Damian Gjiknuri, tha se kjo është ndërhyrja e parë serioze që po bëhet për sistemimin e një problemi shumëvjeçar.

“Pra merr zgjidhje çështja e përmbytjeve që ndodhnin në këtë zonë sa herë kishte reshje intensive të shiut. Me këtë investim evitojmë pjesën më të madhe të këtij problemi me të cilin qytetarët u ndeshen jo vetëm vjet, por edhe më parë”.

Gjiknuri nënvizoi se “vitin e fundit, u investuan mbi 25 milionë euro nga programi i rehabilitimit të rrugëve”. “Ndryshimet janë të prekshme, me sinjalistikën, riparimin e disa akseve kryesore. Edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullimin e shtresave me asfalt”, theksoi ministri Gjiknuri.

Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policia e qarkullimit rrugor kanë hartuar një plan operacional për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342.000 euro pa TVSH. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.