FOTO/ Berat, mjedise të reja për 360 nxënës të shkollës 9-vjeçare “1 Maji”

132

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Rreth 360 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Maji” në Berat do të mësojnë në ambiente të reja.

Në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të shkollës, ku bashkia e Beratit ka investuar një fond prej 580 milionë lekësh, ishte i pranishëm kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të tij, si dhe mësues, nxënës e prindër.

Në rikonstruksionin e plotë të kësaj shkolle janë kryer suvatime të jashtme dhe të brendshme, instalime elektrike, hidraulike, shtrime pllakash, lyerje me bojë, instalimi i sistemit të ngrohjes, kanalizimi i ujërave të bardha dhe të zeza, lyerja e fasadës, janë krijuar kushtet për zhvillimin e orëve të edukimit fizik, duke i pajisur ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj shkolle me dhoma zhveshjeje, fusha të basketbollit, futbollit dhe volejbollit.

Drejtori i shkollës, Gëzim Shehu, shprehu falënderimet e tij dhe të gjithë stafit të shkollës për investimin e kryer, ndërsa parashtroi disa kërkesa që lidheshin kryesisht me me pajisjen e shkollës me bazën e duhur mësimore didaktike, problem ky që do të zgjidhet me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore të Bashkisë.

Në komunikimin e tij me mediet kryebashkiaku Sinaj shprehu kënaqësinë e tij që viti i ri niste me përurimin e një shkolle.

“Është kënaqësi që ditët e para të këtij viti i fillojmë me inaugurimin e një shkolle, ku aktualisht marrin dije 360 nxënës në kushte komplet të ndryshme nga viti i kaluar”, u shpreh Sinaj.

Sipas tij, kjo shkollë ka pësuar një rikonstruksion total me fondet e bashkisë.

“Falënderoj drejtorin dhe gjithë stafin pedagogjik të kësaj shkolle që për 2-3 muaj, edhe pse në mjedise të tjera dhe orar jo fort të përshtatshëm, ia dolën të zhvillonin programin e planifikuar të mësimit, për t’u rikthyer sërish sot në shkollën e tyre në kushte dhe standarde mjaft funksionale për zhvillimin e procesit mësimor”, theksoi Sinaj.

Ai shpehu bindjen se krijimi i mjediseve të tilla ka për të rritur edhe më shumë kërkesat e regjistrimit në këtë shkollë, sikurse edhe rezultatet e saj. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.