Basha: PD në krah të medias së lirë dhe gazetarëve

TIRANË, 7 janar /ATSH – A. Fortuzi/ – Partia Demokratike është në krah të medias së lirë dhe gazetarëve, të cilët sipas kryetarit të kësaj force politike, përballen çdo ditë me sfidat e vështira në misionin e tyre fisnik drejt së vërtetës.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, në themelimin e një prej gazetave në vend, u shpreh se forca politike që ai përfaqëson, do të vijojë të mbështesë mediet e lira dhe gazetarët që përpiqen çdo ditë t’i shërbejnë të vërtetës.

“Ju uroj pra, duke e parë gotën gjysmë plot, që të gjithë së bashku ta mbushim këtë gotë, jo me të këqijat, me të zezat që ky regjim ka derdhur mbi median dhe gazetarët gjatë këtij viti, por me të mirat dhe fisnikërinë dhe kurajon e tyre patriotike dhe qytetare, që këto gazetarë e media, janë përballur me këto sfida, e që do vijojnë të përballen edhe këtë vit vendimtar për rrugën e integrimit në BE të vendit tonë”, – tha Basha.

“PD është në krah të medias së lirë, për ne s’ka asnjë vijë ndarëse mes dallëndyshes së parë të medias së lirë dhe çdo gazetari dhe punonjësi të medieve, që i japin kontributin e tyre në këtë mision kaq fisnik”, – tha Basha ndër të tjera./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.