Aventurierët e dëborës ngjiten në Parkun Kombëtar të Shebenikut

TIRANË, 7 janar / ATSH / – Ishin të konsiderueshëm vizitorët që u ngjitën këto ditë dimri me dëborë në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, që gjendet sipër qytetit të Librazhdit, i aksesueshëm me rrugë të kalueshme në të gjitha stinët e vitit.

Kryesisht janë të rinjtë ata që preferojnë të ngjiten në këto lartësi, edhe për shkak të terrenit të thyer e të mbuluar nga dëbora.

Këtë fundjavë ishin të rinj nga Elbasani, Librazhdi dhe Tirana që provuan borën e parë të këtyre anëve. Bardhësia ka mbuluar kryesisht majat e maleve, por ka zbritur edhe poshtë deri në Fushë-Studen.

Kjo është stina kur ky park kthehet në një destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës. Bimësia është e zhveshur dhe bora e bardhë feks gjithandej.

Rreth 10 mijë turistë, kryesisht të rinj, vendas e të huaj e kanë vizituar vitin e kaluar Parkun Kombëtar në Qarkun e Elbasanit. Një pasuri turistike e pakonkurrueshme, që pret vizitorë të apasionuar pas aventurës, natyrës, traditës dhe historisë.

Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta gjatë verës, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.

Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve.

Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Elbasan është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.

Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.

Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park, sidomos ato që lidhen me sportet dimërore.

Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë këtë park më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit të natyrës shqiptare. Bora ka mbuluar gjthshka dhe në këto lartësi të bukura e sportive, do të shtohen dhe vizitorët aventurierë që do të argëtohen kryesisht në fundjavë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.