10 -mujori/ Të ardhurat buxhetore u rritën 3,8%

TIRANË, 6 janar /ATSH/- Të ardhurat buxhetore kanë vijuar të ndjekin trajektore më të përmirësuar rritjeje që prej fundit të gjysmës së parë të vitit.
Sipas statistikave të Bankës Qendrore, për 10 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale shënuan një rritje me rreth 3,8% në terma vjetorë.
Kontributin më të lartë në rritjen e totalit të të ardhurave e kanë dhënë të ardhurat nga sigurimet sociale (1,6%), të ardhurat nga TVSh- ja (1,1 %), si edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale (1,1 %).
Të ardhurat nga TVSh-ja kanë shfaqur një dinamikë më të përmirësuar pas gjysmës së parë të vitit. Kjo ecuri reflekton pjesërisht zbutjen e efektit negativ, si pasojë e mbiçmimit
të monedhës vendase kundrejt euros, nga njëra anë, dhe dinamikën e përmirësuar të TVSh
-së së mbledhur nga prodhimi i mallrave e shërbimeve në vend, nga ana tjetër.
BSH-së vëren se, ecuria e të ardhurave nga TVSh-ja, në tre muajt e fundit, mund të interpretohet si një kombinim sinjalesh pozitive, si për ecurinë e konsumit, ashtu edhe për një shtrirje më të gjerë të formalizimit në vend.
Kjo e fundit, krahas përmirësimit të treguesve të tregut të punës, mbështetet edhe nga përmirësimi i ritmeve të rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, si edhe nga sigurimet sociale. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.