Vëzhgim/ Rruga “Mine Peza” çlirohet nga llotot, banorët mirëpresin zbatimin e ligjit

TIRANË, 4 janar/ATSH- Maela Marini/- Prej 1 janarit 2019 kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligjin “Për Lojërat e Fatit”, që i japin fund versionit më të shëmtuar të “Las Vegasit” të kioskëzuar shqiptar të tranzicionit.

Në një vëzhgim të ATSH-së, vihet re se, vetëm në blloqet e banimit përgjatë rrugës “Mine Peza” në njësinë administrative nr. 9 në Tiranë, ishin mbi 10 lokale bastesh sportive apo lojërash fati, shumica e të cilave tashmë kanë ulur qepenat.

Disa prej këtyre subjekteve kanë zgjedhur të funksionojnë si bar-kafe, ndërsa shumë të tjera e kanë mbyllur aktivitetin, kanë hequr reklamat dhe kanë dhënë me qira ambientet.

Të ndodhur në katet e para të pallateve, pikat e basteve ishin shndërruar në një shqetësim real për banorët, në jetën e tyre të përditshme.

Ndaj vendimi i qeverisë, i sanksionuar tashmë me ligj, për mbylljen e lokaleve me aktivitet lojërat e fatit, është mirëpritur nga banorët e kësaj njësie administrative.

“Është një vendim që duhej të ishte marrë me kohë. Banesa ime është pikërisht sipër lokalit që deri tani funksiononte si pikë basti dhe ku nuk kishte natë, që të mos ndodhte diçka”, – shprehet një banore e kësaj njësie administrative.

Ndërkohë, për një tjetër banor, ky vendim shihet si një mundësi për të mbrojtur rininë nga veset e bixhozit. Sipas tij, “shumica e frekuentuesve të lotove të sportit ishin adoleshentë që shumicën e herëve linin orët e mësimit për të luajtur, duke qenë se ishin edhe jashtë kontrollit të familjarëve”.

ATSH kontaktoi po ashtu edhe një tjetër subjekt në rrugën “Mine Peza”, që më parë funksiononte si lloto sport, ndërsa pas 1 janarit zgjodhi të vazhdojë aktivitetin e tij si bar kafe.

Për pronarin e këtij lokali, përshtatja do të ketë vështirësitë e veta nisur nga fakti se kishte një klientelë të siguruar me bastet sportive.

Por ai zgjedh të shikoj “gotën gjysmë plot”, pasi sipas tij, “tashmë mund të funksionojë si biznes familjar, duke punuar bashkë me bashkëshorten”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.