Kryemadhi: Problematika në të gjithë zinxhirin arsimor

TIRANË, 4 Janar /ATSH/ – Problematikat në arsim nuk janë vetëm në universitete, por në të gjithë zinxhirin arsimor.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gjimnazistët e Tiranës për problematikat në arsim tha se, LSI prej kohësh ka ngritur zërin për “Ligjin e Arsimit të Lartë”, ndërsa theksoi se problematikat në arsim nuk janë vetëm në universitete, por në të gjithë zinxhirin arsimor.

Ajo u ndal kryesisht te problemet që hasin gjimnazistët që lidhen me orët private, me kërcënimet politike të drejtoreshave të gjimnazeve etj.

Kryemadhi tha se, reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por me punë konkrete, përkushtim dhe vullnet politik.

“Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar. Pse e themi këtë kombëtar? Sepse partitë politike dhe qeveritë ndryshojnë sipas humorit të Kryeministrit, por reforma në arsim, sistemi në arsim nuk mund të ndryshojë sa herë t’i dojë qejfi ministrit, apo ministres apo drejtorit të përgjithshëm të arsimit të lartë, apo të arsimit të mesëm, e kështu me radhë”, – tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së u shpreh se, gjimnazistët nuk duhet të stepen nga presionet e drejtorëve të gjimnazeve, por t’i bashkohen protestave të studentëve për të arritur një nga fitoret me të mëdha të rinisë shqiptare.

/gj.mima/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.