FOTO/ Llogoraja, peizazh mahnitës nën bardhësinë e dëborës

TIRANË, 4 janar/ATSH/- Bardhësia e dëborës ka pushtuar prej dy ditësh qafën e Llogorasë, të ndodhur rreth 40 km në juglindje të Vlorës, përballë detit Jon.

Sezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë ka mbërritur edhe në këtë park kombëtar, i njohur për freskinë e tij gjatë ditëve të nxehta të verës dhe për magjinë e dëborës në dimër.

E cilësuar një perlë e turizmit shqiptar, Llogoraja ka mbledhur dy ditët e fundit të rinjtë dhe aventurierët e borës e të lartësive.

Flokët e dëborës kanë mbuluar gjithçka, duke ofruar një peizazh magjepsës ku kombinohen mjaft bukur bregu i detit dhe malet e mbuluar nga dëbora.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ajo ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele e luksit./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.