Turizëm i bardhë… Llogoraja zgjohet nën magjinë e dëborës

TIRANË, 3 janar/ATSH/- Llogoraja, e ndodhur rreth 40 km në juglindje të Vlorës, përballë detit Jon, është “zgjuar” sot e zbardhur nga dëbora.

Qafa e Llogorasë tërheq mjaft vizitore vendas e të huaj edhe gjatë periudhës së dimrit, kryesisht adhuruesit e natyrës dhe peizazheve.

Një pamje mahnitëse ofrohet në parkun e mbuluar nga dëbora, ndërsa deti pret stinën e verës, ku mbledh rreth tij mijëra turistë.

Degët e pemëve e veçanërisht “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike, janë mbushur nga flokët e dëborës, që ka arritur në trashësinë 10-15 cm.

Qafa e Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ajo ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele e luksit. z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.