Lojërat e fatit/ Policia e Tiranës procedon 2 shtetas, nuk mbyllën aktivitetin

TIRANË, 3 janar/ATSH/ Policia e Tiranës vijon kontrollet në të gjithë qarkun në bazë të planit të masave për evidentimin e ushtrimit dhe zhvillimit të kundërligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit.

Në sajë të këtyre kontrolleve janë konstatuar 2 subjekte, që nuk kishin mbyllur aktivitetin dhe të cilave iu gjetën aparatura të dyshuara për lojëra fati.

Policia lokale procedoi penalisht pronarët e tyre, konkretisht T.C., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Bardhok Biba”, në lokalin e tij nuk ishte mbyllur aktiviteti i lojërave të fatit.

Po ashtu u procedua shtetasi me iniciale E.B., për veprën penale “Organizim i palejuar i lojërave të fatit”, pasi në rrugën “Muhamet Allushi”, në subjektin e tij u konstatuan aparatura të dyshuara për lojëra fati.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet antiligjor.

Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme në numrin 112, ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.