FSHZH shpall thirrjen e parë për investime në infrastrukturë, rivitalizim të poliqendrave urbane

TIRANË, 3 janar/ATSH/ – Fondi Shqiptar i zhvillimit ka shpallur thirrjen e parë për financimin e projekteve të reja nga programi “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale” për vitin 2019.

Drejtimet e thirrjes për financim janë Projekte të Zhvillimit Rajonal, të fokusuara në përmirësimin e infrastrukturës rrugore lidhëse mes njësive vendore me qëllim lehtësimin e aksesit të komuniteteve drejt shërbimeve bazë, tregut dhe vendeve me potencial të lartë turistik, natyror dhe kulturor.

Sipas FSHZH nga fondi përfitojnë edhe projekte që shërbejnë si katalizator i rivitalizimit urban dhe rural, përmes jetëzimit të hapësirave publike e të ekonomive lokale, përmirësimit të aksesit dhe të lëvizshmërisë, rivitalizimit të poliqendrave urbane dhe përmirësimit të infrastrukturës vendore.

Vlera e financimit e thirrjes së parë për vitin 2019 është 2.500.000.000 lekë (dy miliardë e pesëqind milionë) lekë.

Aplikimi për financimin e projekteve do të bëhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.  Projektet do të financohen në shumën 100% nga programi “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.