Foto/ Nga korridor i ngushtë, në një sallë moderne, transformohet Urgjenca e Korçës

TIRANË, 3 janar/ATSH/- Më parë ishte vetëm një korridor dhe recepsion i ngushtë, ku shumica e pacientëve qëndronin në pritje jashtë ambienteve të spitalit, ndërsa sot Urgjenca e Korçës është transformuar me një sallë të re moderne pritjeje.

Më një vlerë investimi prej 3 milionë lekësh, nga të cilat 1.8 milionë nga të ardhurat e spitalit dhe 1.2 milionë falë donacioneve, drejtori i Spitalit të Korçës, Ardit Konomi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se punimet janë kryer për vetëm një muaj.

“Vlera e investimit është 1 milion e 800 mijë nga të ardhurat e spitalit dhe 1 milion 120 mijë donacione, ose ndryshe 3 milionë në total. Pra, 30 milionë lekë të vjetra, nga të cilat 18 milionë nga të ardhurat e spitalit dhe 12 milionë nga donacione. Punimet janë kryer brenda një muaji”, – tha Konomi.
Ai lajmëroi se kjo përbën vetëm fazën e parë të investimit, ndërsa së shpejti do të transformohet edhe pjesë e brendshme e Urgjencës.

“Së shpejti do të fillojë edhe investimi në pjesën e brendshme të Urgjencës, pra pjesa e shërbimit”, – përfundoi drejtori i Spitalit të Korçës. Ambienti i cili është transformuar ishte i papërdorshëm më parë. /e.caushi/

z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.