Kosova në janar merr menaxhimin e hapësirës ajrore të ulët

PRISHTINE, 1 janar/ATSH/- Hapësira e ulët ajrore e territorit të Kosovës nga janari i vitit 2019, pritet të merret nën menaxhim të autoriteteve kosovare.

Kurse, hapësira e lartë ajrore mbi 7 mijë metra edhe për 5 vite tjera do të vazhdojë të menaxhohet nga Hungaria.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili u shpreh se vendi ynë ndodhet para kësaj situate në mungesës së resurseve njerëzore.

Ai shton se në momentin kur Kosova është e gatshme për këtë detyrë, do e marrë mbi kompetencat e saj edhe hapësirën e lartë ajror.

“Sa i përket hapësirës së lartë ajrore dihet se menaxhohet nga hungarezët dhe këtu është lejuar nga NATO dhe KFOR-i që të kenë në përgjegjësitë e hapësirë së lartë ajrore. Ne kemi rënë dakord që të përgatisim stafin, resurset njerëzore dhe që ne të jemi të gatshëm që të marrim përgjegjësitë, por nëse më pyetni se a jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë tani, mendoj që ne ende na mungojnë resurset potenciale njerëzor, dhe ajo që mund ta them është që ne duhet që t’i përgatisim kuadro që pas viteve të marrim një përgjegjësi të tillë sa i përket hapësirës së lartë ajrore dhe ne jemi në koordinim që aviacioni hungarez të përgatisë stafin tonë dhe kështu që pas 5 viteve ne të marrim një përgjegjësi”, ka deklaruar Lekaj.

Ministri Lekaj deklaroi se po presin vendimin nga NATO dhe vendimmarrësit tjerë për marrjen e përgjegjësive për hapësirën e ulët ajrore.

Sipas tij, kjo do ndikojë edhe në uljen e çmimeve të biletave në Aeroportin e Prishtinës, të cilat tani për tani janë ndër më të lartat në rajon.

Por krahas kësaj, menaxheri për planifikim të fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës”, Adem Jashari”, Driton Hyseni thotë se për uljen e çmimeve të biletave, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari”, ka në plan përmes programeve nxitëse të rrisë konkurrueshmërinë në mes kompanive ajrore që do operojnë në këtë aeroport.

Po ashtu, në planet strategjike për vitin 2019, menaxhmenti i aeroportit “Adem Jasharit”, ka paraparë mundësinë që kompania ajrore “WIZZ air”, përveç destinacioneve aktuale të shtoj edhe numrin e fluturimeve tjera, me fokus të veçantë për vendet skandinave.

Konkurrencën brenda kompanive ajrore në Aeroportin “Adem Jashari” nga 2019-ta, do do shtoj edhe stacionimi i një aeroplani të kompanie gjermane ”Germania”.

“Destinacionet që i përmenda Memingeni, Dortmund dhe Baseli do të operohen nga tri herë në javë gjatë sezones së verës 2019 sipas planeve aktuale të WIZZ air, janë në përgatitje edhe analizat tjera të destinacioneve tjera të cilat potencialisht mund të përfshihen në listën dhe hartën e WIZZ air për t’u operuar nga Prishtina për në sezonet e ardhshme, fokus sigurisht kanë vendet skandinave, mirëpo mbesim në konkretizim dhe në lajm pozitiv sa i përket zgjerimit të mëtutjeshëm të WIZZ air. Po ashtu, sa i takon planifikimeve 2019, do e potencoj edhe faktin që vetëm e kemi bërë publik që kompania ajrore gjermane “Germania” do të stacionoj njërin nga aeroplanët e flotës së vet në Aeroportin e Prishtinës dhe nga aeroporti do t’u shërbej vendeve të ndryshme evropiane”, ka shtuar ai.

Hyseni shtoi se në vitin 2018, Aeroporti i Prishtinës u ka shërbyer 2.2 milionë pasagjerëve dhe ka realizuar 44 vajtje-ardhje brenda një dite.

Sipas tij, me këtë numër të fluturimeve aeroporti është në rrugë të mbarë të jetë një prej portave kryesore ajrore të rajonit.

“Deri më tani janë realizuar në tërësi rreth 15 mijë operime, rreth 15 mijë vajtje ardhje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ndërsa deri në fund të vitit kemi edhe një pjesë të planifikuar, kështu që i afrohemi shifrës prej 16 milionë fluturimesh, 16 mijë vajtje ardhje që operohen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, çoftë në arritje apo në shkuarje…Për pjesën tjetër të dhjetorit përfshirë edhe festat e fund vitit, ne do kemi një fluks jashtëzakonisht të udhëtarëve dhe numri i gjithmbarshëm i udhëtarëve të cilët do e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës i afrohet shifrës 2.2 milionë pasagjerë, pra udhëtar dhe përkthyer në mesatare ditore, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës gjatë 2018 ka shërbyer 6 mijë udhëtar brenda një dite, respektivisht 44 vajte ardhje”, ka shtuar ai.

Sipas tij, me investimet në infrastrukturën e navigimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, do të mund të realizohen të gjitha fluturimet pa asnjë telashe edhe në rastet kur kushtet atmosferike nuk janë të mira.

Gjatë muaji dhjetor, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, në fillimin e muajit dhjetor ka shënuar rekord duke i shërbyer udhëtarit të 2 milionët brenda këtij viti./kosovapress/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.