NJU JORK, 1 janar /ATSH-DPA/ – Banorët e gjithë globit pritën Vitin e Ri me festime dhe fishekzjarre.
Ishulli i Paqësorit, Samoa, ishte i pari që festoi ardhjen e vitit 2019, pasi ndodhet i zhvendosur në zonën e tij kohore, në perëndim të asaj ndërkombëtare.
Fishekzjarret për të mirëpritur në Vitin e Ri shpërthyen mbi kryeqytetin Apia të ishullit, për vendasit dhe turistët, të cilët kanë shkuar atje për të qenë përpara gjithë të tjerëve në planet për të pritur Vitin e Ri.
Pas Samoas, vitin e ri e priti Zelanda e Re dhe qyteti australian i Sidnejit, ku deri në 1,5 milionë njerëz ishin pranë portit të qytetit për të parë shfaqjen e famshme të fishekzjarreve.
Organizatorët thanë se për festimet e vitit 2019 u shpenzuan 4,22 milionë dollarë vetëm për 12 minuta fishekzjarre.
Në Japoni, këmbanat e tempujve budistë ranë 108 herë – duke përfaqësuar numrin e dëshirave tokësore që një person duhet të kapërcejë për të arritur nirvanan.
Ëmbëlsira e orizit, e quajtur “mochi” është një specialitet i vitit të ri.
Gjithashtu, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në festimet në Edimburgut, ndërkohë që biletat për shfaqjen e fishekzjarreve në Londër, më e madhja në Evropë, ishin shitur plotësisht.
Festa më e madhe gjermane e vitit të ri do të zhvillohet në Portën e Brandenburgut, Berlin, ku ”Eagle Eye Cherry” dhe Bonnie Tyler ishin mes atyre që performuan.
Në Nju Jork, siguria ishte tepër e madhe pasi Big Apple priti rreth dy milionë persona në ”Times Square”, që kulmoi me rënien e një kristali në sekondat e fundit të vitit 2018.
”Njëmbëdhjetë gazetarë shtypën butonin e lëshimit të topit”, tha ”New York Times”, si pjesë e një përpjekjeje për të njohur ”erozionin” e lirive të shtypit brenda dhe jashtë vendit.
Los Anxheles dhe Honolulu përmbyllën festën amerikane, ndërsa Buenos Aires dhe Rio de Zhaneiro ishin dy qytetet ku viti i ri ”shkoi” më shpejt për shkak të ndryshimit të orës.
Festimet do të përfundojnë pak a shumë aty ku ata filluan, në Samoan Amerikane, pikërish ngjitur me ishullin e Samoas./ a.jor.