Bypass-i i Fierit shkurton në 15 minuta rrugën nga Mbrostari në Levan

TIRANË, 1 janar/ATSH-Maela Marini/ Bypass-i i Fierit, një projekt strategjik i infrastrukturës rrugore në vend, po vijon me ritme të shpejta.

Në një intervistë për ATSH-në, deputetja socialiste në Qarkun e Fierit, Antoneta Dhima, foli për rëndësinë e këtij projekti, si dhe impaktin që ai ka te qytetarët.

Nëse përgjatë rrugës së vjetër, në periudhë fluksi duhet më tepër se një orë për të kaluar, sipas saj, me hapjen e Bypass-it, nga Mbrostari në Levan do të duhen më pak se 15 minuta.

Kjo mjafton, tha deputetja e PS-së, për të kuptuar se sa i rëndësishëm është ndërtimi i këtij segmenti, që shmang trafikun dhe ofron rrugë me parametra bashkëkohor.

“Pas një zvarritjeje shumëvjeçare me kontratat e lidhura nga qeveria e mëparshme që i la rrugët rrugëve, prej afro dy muajsh janë mbyllur procedurat dhe kanë filluar punimet në dy veprat infrastrukturore më të rëndësishme, bypass-in e Fierit dhe bypass-in e Vlorës, që mund të cilësohen fare mirë si dy nga investimet më të rëndësishme jo vetëm për jugun e vendit”, u shpreh Dhima për ATSH-në.

Me përfundimin e punimeve në bypass-in e Fierit, sipas deputetes socialiste, “makthi dhe stresi për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin drejt jugut, përmes Fierit dhe Vlorës do të marr fund”.

“Përfundimi i këtij aksi rrugor dhe hapja e tij deri në qershor të vitit 2019, si një investim strategjik shumë i rëndësishëm për vendin e për të gjithë qytetarët, do të sjellë rritje të numrit të pushuesve dhe turistëve, të cilët dëshirojnë të vizitojnë jugun e vendit. Ky investim madhor do të sjellë shkurtim të kohës së udhëtimit drejt jugut të vendit dhe anasjelltas, por edhe një cilësi më të mirë udhëtimi”, u shpreh Dhima.

Ajo theksoi se “firmës zbatuese i është kërkuar nga qeveria që punimet për Bypass-in e Fierit të vazhdojnë intensivisht e të mos pengohen, pasi nuk ka kohë për të humbur dhe deri në verë duhet të ketë mbaruar së paku një korsi”.

Të ndodhur në këto kushte, kur interesi qytetar është i madh, Dhima tha se “janë marrë të gjitha masat nga qeveria dhe ministria përkatëse që puna të eci me ritme të shpejta, për të përfunduar në kohë punimet përgjatë 22 kilometrave të këtij aksi, nga zona e Mbrostarit deri në dalje të Levanit”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.