Paketa Antishpifje, me referencë në ligjet europiane

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama garantoi në konferencën e fundvitit me gazetarët se nuk ka asnjë sajesë alla-shqiptarçe në Paketën e re Antishpifje që po përgatit qeveria dhe aq më pak kufizime në lirinë e fjalës. I pyetur nga gazetarët, Rama vuri në dukje se paketa antishpifje ka referenca në ligjet europiane, sidomos në ligjin kroat që është vend anëtar i BE-së.

“Do të jetë një model funksional kundër kazanit, model funksional që plotëson një kuadër ligjor ekzistues në ligjin për mediet elektronike në fuqi, që nuk do ketë ndryshime”, theksoi Rama.

Ai theksoi se paketa vjen si domosdoshmëri e kohës kur ka dalë bota e portaleve. Ashtu si ka norma për medien elektronike, do të ketë edhe për portalet.

“Portalet janë fundi i kazanit dhe do shkojmë deri në fund për të normuar. Kush do të shpifë, do paguajë. Kjo është e thjeshtë dhe do paguajë konsiderueshëm dhe le të vazhdojë të shpifë nëse ia mban kurrizi”, – tha Rama.

“Nuk ka asnjë nevojë për alarmim. Liria e fjalës është 100% e garantuar, sikundër do të normohet liria e shtypjes së të vërtetës përmes shpifjes. Nuk ka asnjë ndryshim të ligjit, edhe portalet do të hyjnë në kuadrin rregullues të medies”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.