Kodi Zgjedhor, Rama: Opozita ta votojë, adresuam kërkesën e saj për votimin elektronik

TIRANE, 31 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot opozitën që të votojë Kodin Zgjedhor, për t’i dhënë mundësi emigrantëve të votojnë.

Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Rama iu përgjigj edhe pyetjes mbi votën e emigrantëve.

“Këtë pyetje duhet t’ia bëni doktoreshës së shkencave Monika Kryemadhi dhe bashkëvuajtësit të saj Lulzim Basha, sepse për votën e emigrantëve në procesin e reformës zgjedhore ne u përgatitëm shumë fort. Për ankesat dhe pretendimet e opozitës arritëm në një propozim për të testuar votimin elektronik dhe opozita ngrohte vezë jashtë Parlamentit dhe erdhi në Parlament jo për votën e emigrantëve, po për të plasur vezët e ngrohura që rezultuan të papërdorshme dhe pa produkt”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ne mbetemi të vendosur për votën e emigrantëve, por na duhet patjetër që opozita të jetë dakord dhe të punojë me ne, që vitin 2021 ne ta kemi vitin që të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, të japin votën e tyre”.

“Meqë opozita e përshëndeti protestën e Diasporës me 100 vetë, le ta vendosim së bashku dhe t’ua japim emigrantëve të drejtën e votës, pastaj të fitojë më i miri”, – tha Rama./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.