Gati nënshkrimi i kontratës për hekurudhën Tiranë-Durrës

TIRANE, 31 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Për hekurudhën Tiranë-Durrës është gati nënshkrimi i kontratës dhe fillimi i punës”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, ku bëri bilancin e qeverisjes për vitin 2018.

Duke folur për arritjet gjatë mandatit të ministrit në detyrë të Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, Rama veçoi kontratën për hekurudhën Tiranë-Durrës.

Po ashtu, sipas tij, ka ecur puna edhe me hekurudhën e mallrave Fier-Vlorë. Kreu i qeverisë nënvizoi kontributin e Gjiknurit në reformën e rëndësishme të energjisë, ndërsa sa i takon infrastrukturës theksoi se “janë përfunduar 21 akse rrugore, janë rehabilituar mbi 200 km rrugë ose 14 akse të degraduara komplet dhe 7 të tjera janë në përfundim”.

Kryeministri theksoi se “së shpejti do të nisë puna për aeroportet e Kukësit dhe të Vlorës, të cilat vetëm sa premtoheshin nga qeveritë e mëparshme”.

“Sa për atë akuzën për kompani që hyjnë me letra të falsifikuara nëpër tendera, ka në të gjithë botën dhe një qeveri apo një ministër nuk gjykohet nga fakti nëse hyn apo jo një kompani me letra të falsifikuara, por nga momenti si reagon. Më thoni ku është korrupsioni në rastin në fjalë. Në Shqipëri është shitur me letra të falsifikuara një nga asetet më strategjike në vend”, – tha Rama, duke iu referuar anulimin të tenderit për lotin e parë të unazës së Tiranës.

Ndërkohë, Rama tha se garancia e vendosur nga kompania në fjalë do të sekuestrohet dhe do të kthehet në fond banesash për të varfërit që preken nga ndërtimet publike. Prokuroria, tha ai, do ta bëjë deri në fund detyrën e vet, sepse heton prokuroria shqiptare dhe ajo amerikane. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.