Londra shpenzon 107 milionë stërlina për forcimin e lidhjeve detare pas Brexit

LONDËR, 29 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ministria britanike e Transporteve  ka nënshkruar kontrata me disa kompani tragetesh për një shumë prej 107 milionë stërlina (120 milionë euro) për të shmangur anomalitë në porte në rast të një Brexit pa marrëveshje, raportoi sot BBC-ja.

Këto kontrata u nënshkruan me kompaninë franceze ‘’Brittany Ferries’’ (46,6 milionë stërlina-51,7 milionë euro), danezen DFDS (47,3 milionë stërlina – 52,5 milionë euro) dhe britaniken ‘’Seaborne’’ (13,8 milionë stërlina – 15,3 milionë euro) për të krijuar lidhje të tjera me kontinentin.

Dokumentet theksojnë se kontrollet e vendosura në rast të një divorci pa marrëveshje mund të çojnë në vonesa për dorëzimin e mallrave kryesore. Autoritetet britanike i druhen bllokimeve të trafikut të kamionëve në afërsi të porteve, dhe shpresojnë në këtë mënyrë për të lehtësuar trafikun./ / v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.