Këshilla si të shmangni helmimet gjatë festave

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/- Gjatë ditëve të festave ushqimet dhe pijet alkoolike janë ato të cilat konsumohen dhe paraqesin rrezikshmëri për intoksikim.
Përzierja e pijeve alkoolike e joalkoolike apo konsumimi i mishit të ndenjur janë disa prej gabimeve që bëjmë gjatë ditëve festive e që pasohen me helmime e shtim në peshë.
Ndodh që menjëherë pas festave shfaqen njerëz me helmime nga pijet alkoolike të përdorura si: rakia, vera apo birra. Nuk bëhet fjalë vetëm ata që abuzojnë gjithmonë me alkoolin, por edhe për ata që konsumojnë alkool vetëm atë natë.
Ushqime të tjera që mund të shfaqin toksikime të ndryshme janë dhe produktet me origjinë shtazore si mishi me nënproduktet e tij, veza (majoneza që përdoret në sallatë apo sose të ndryshme, ku përgatiten disa orë para se të konsumohen. Po ashtu, kur mishi ftohet, ai është gjithmonë i ekspozuar ndaj bakterieve dhe kur bashkohet me produktet e tjera që kanë të njëjtën gjë, situata bëhet më problematike dhe familjarët janë të predispozuar për t’u toksikuar.
Situata përkeqësohet akoma më shumë kur ushqimet ripërdoren në ditët pas festave. Mishi duhet të ruhet në ambient të përshtatshëm dhe në temperaturën e duhur. Shumica e njerëzve e neglizhojnë këtë fakt, duke menduar se është dimër dhe temperaturat janë të ulëta.
Mishi i ndenjur i përgatitur 2 ditë më parë dhe që nuk është i ruajtur në kushtet e duhura, shkakton rritjen e bakterieve që bëhen shkaktarë për toksiko-infeksione. Problematikë tjetër është që, duke qëndruar me ditë të tëra para televizorit (ditë pushimi), mendja u rri të gjithëve vetëm tek ushqimi dhe krijohet një mbingopje. Kjo mund të shoqërohet me të vjella, deri tek helmimi.
Kujdes me alkoolin, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Duhet shmangur  përzierja e pijeve, nga pijet me gaz, te vera, rakia apo birra, gjë që çon në dehje më të shpejtë.
Jepuni përparësi sallatave, nga ato përftojmë pak kalori dhe shumë vitamina dhe ndihemi me shumë të ngopur dhe mund të mënjanohen helmimet gjatë festave. /a.a/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.