Rama: Nuk na duhen organizata ekskluzive socialiste, PS parti e qytetarëve

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, se kjo parti nuk ka nevojë për organizata ekskluzive si FRESSH apo forumi i Gruas, por duhet të hapet ndaj qytetarëve dhe grupeve të interesit që mund të atashohen pranë saj.

Ai solli rastin kur nisi protesta e studentëve, duke theksuar se edhe të rinjtë e FRESSH-it ndodheshin në protestë përpara Ministrisë së Arsimit. “Shumë mirë që ishin atje, një domethënie shumë e madhe, por nga ana tjetër ka ardhur koha të nxjerrim mësime nga eksperienca e protestës dhe nga sa dëgjuam prej studentëve”, – theksoi Kryeministri.

“FRESSH nuk mund të jetë me organizata ekskluzive e të rinjve socialistë, do iu japim mundësi dhe atyre studentëve që nuk duan të merren me politikë, të regjistrohen pranë nesh si grup interesi”, – theksoi Rama.

“Forumin e gruas, e dëgjojmë vetëm kur ka zgjedhje. Pse duhet të kemi forumin e Gruas, ndërkohë që gratë janë integruar në PS dhe në qeveri, që e kemi me 50 për qind gra? Nuk na duhen organizata ekskluzive, forume statistike, parti që nuk formatohet, me rrjet koordinimi, që nuk rrjetësohet me të gjitha grupet e interesit. Nuk na duhet një parti që ka kapacitetin t’u flasë njerëzve”, – theksoi Rama.

“Kush shkoi t’u flasë njerëzve? As FRESSH, as Gruaja, as partia, as deputeti, as ministri nuk iu flisnin dot. Edhe unë do bëja të njëjtën gjë si studentët që nuk duan të merren me politikë, me dallimin që do bëja dialog”, – theksoi Rama.

“Nuk mund të presim më gjatë për të marrë të gjitha mësimet nga kjo që kemi para syve. Protesta e studentëve është një mundësi e jashtëzakonshme, për të nxjerrë mësime”, – tha ai.

Rama theksoi se protesta nuk është një protestë për t’u mbyllur, për t’u fashitur me llafe e për të larë gojën, jo për të mbetur tek 8 kërkesat. “Më 7 janar do dalin në protestë vetëm ata të ‘doktorreshës’ dhe ‘artistit’, por protesta ne na ka dhënë diçka që duhet ta ushqejmë, reagimin me pakënaqësi të plotë ndaj vetes në çdo aspekt”, – tha ai.

“Na duhet parti e njerëzve, përfaqësues që të dinë rrugën. Njerëzit janë partia. Partia duhet të jetë e njerëzve dhe jo thjesht e anëtarëve”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.