Rama: Fati dhe mallkimi ynë që të adresojmë problemet e njerëzve

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – “Faktet nuk bëjnë lajm, nuk etuziazmojnë, faktet nuk bindin, madje në të shumtën e herës faktet acarojnë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse njerëzit meritojnë të jetojnë shumë më mirë se kaq dhe sepse njerëzit presin nga ne shumë më tepër se kaq”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në punimet e Asamblesë së PS-së.

“Ky është fati dhe mallkimi ynë. Për sa kohë ne do të qeverisim, do të jetë për herë më mirë dhe njerëzit do të jenë gjithmonë të pakënaqur, por ama por sa kohë ne do të bëjmë këtë me të gjithë vullnetin dhe ndershmërinë tonë, ata, pavarësisht se do të jenë të pakënaqur njësoj si studentët në rrugë, do të na kërkojnë ne që të adresojmë problemet e tyre, ndërsa kur qeverisin ata të tjerët do jetë gjithmonë e me keq dhe mjafton të mos hash ndonjë plumb rikoshet kur del për të parë një protestë dhe jeta është okej. Ky është ndryshimi, ky është fati dhe mallkimi ynë dhe duhet të jetojmë në mënyrë të përditshme me ndjenjë shumë të fortë të dyjave këtyre, bashkë dhe me bindjen se këto të dyja bashkë duhet t’i adresojmë në mënyrë të përditshme, pa menduar në asnjë moment se e kanë fajin ata që nuk na kuptojnë, e kanë fajin ata që nuk lexojnë faktet, e kanë fajin ata që nuk u referohen shifrave, ata nuk kanë detyrë të na kuptojnë, ata nuk kanë detyrë të na lexojnë faktet, ata nuk kanë detyrë t’u referohen shifrave, ata kanë të drejtën e tyre të na shohin në sy e të kërkojnë nga ne më shumë çdo ditë”, – deklaroi Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.