Meta: Detyrim i institucioneve të garantojnë jetesën e personave në nevojë

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ – Presidenti Ilir Meta vizitoi sot qendrën sociale të Mitropolisë së Korçës “Shërbesa e Dashurisë”, ku u takua me fëmijë dhe pjesëtarë të familjeve në nevojë, me të cilët ndau urimet për Vitin e Ri 2019.

Presidenti Meta tha se ” është detyrim i yni, i gjithë institucioneve qendrore e vendore që të bëjmë më shumë për të garantuar jetesën dhe dinjitetin e këtyre njerëzve, të cilët nëpërkëmben nga varfëria, por shpesh edhe nga braktisja e institucioneve, nga burokracia dhe mosvëmendja”.

“Padyshim vëmendja jonë për bashkësitë fetare është e jashtëzakonshme, sepse po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe e bëjnë atë pa publicitet. Ne duhet të marrim përgjegjësitë tona si shtet. Duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim e të tregojmë përgjegjësitë tona sociale e të tregojmë më shumë njerëzillëk”, – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës mori pjesë gjithashtu në drekën e shtruar për shtresat në nevojë, një traditë 20-vjeçare e përditshme e kësaj Mitropolie. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.