FOTO/ “Rrno për me tregue” për publikun kuksian në këtë prag festash

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ – “Rrno për me tregue”, monodrama e bazuar mbi veprën monumentale të At Zef Pllumit është ngjitur në skenën e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” për publikun kuksian.

Për rreth 1 orë, aktori i mirënjohur Arben Derhemi, nën petkun e priftit françeskan, përcolli mesazhin e një vepre të përjetuar dhe të konsideruar si ndërgjegja e kohës. Kujtimet e autorit prekin një shtrirje kohore të gjatë të gjithë periudhës së komunizmit, që nga lindja deri në shembjen e tij.

Pjesa më e madhe e tyre i përket burgjeve e kampeve të punës. Kjo, jo vetëm për faktin se jeta e autorit, për forcë madhore, kaloi më shumë në to, por dhe për një farë nënteksti filozofik të një realiteti të zotëruar nga një diktaturë, që gjente shprehjen e saj ideale pikërisht në ato kampe e burgje.

“Rrno vetëm për me tregue” është vepër e botuar për herë të parë në vitin 1995 nga autori At Zef Pllumi, vepër kjo që ka rreth 900 faqe, por kësaj radhe ishin shkëputur pjesët kryesore për të bërë një dramatizim sa më të përmbledhur dhe qëllimi i veprës të vihet në pah. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.