Belinda Balluku, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Belinda Balluku do të marrë detyrën e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar në këtë post ministrin aktual Damian Gjiknuri.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ndryshimet në qeveri, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Kryeministri vlerësoi veçanërisht Damian Gjiknurin, si ministrin që ka lënë një shenjë të pashlyeshme në reformimin rrënjësor të sistemit të energjisë.

“Për fat të keq, ajo që ka ndodhur së fundi me tenderin në lotin e Unazës së re ka errësuar padrejtësisht gjithë kontributet e tij. Ai është ministri që ka lënë një shenjë të pashlyeshme në reformimin rrënjësor të sistemit të energjisë dhe pavarësisht se çfarë mund t’i atribuohet lidershipit dhe kokëfortësisë time në atë drejtim, pa Damianin ajo reformë do të ishte e pamundur”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “askush tjetër nga ministrat me të cilat kam punuar nuk i ka kapacitet e tij drejtuese dhe menaxhuese dhe është një investim i padiskutueshëm i PS-së”.

Kryeministri theksoi se, në rastin e historisë së majisur të tenderit të lotit të parë të Unazës së re, reagimi ishte i menjëhershëm.

“Një kompani apo shumë kompani me dokumente të falsifikuara nuk përbën asnjë risi, as në Shqipëri, as në SHBA apo në botë. Është fat që hetimet janë të dyanshme, janë në Shqipëri dhe në Amerikë dhe do ta zbardhin deri në fund të gjithë zinxhirin e fajit”, – tha Rama.

Ai vlerësoi punët e bëra me shumë mençuri nga Gjiknuri dhe trasenë që ai ka shtruar për pasardhësin.

“Damiani do të vazhdoj me më shumë sukses punën e tij në qarkun e Vlorës, ku do të bëhet një reformë e thellë e administratës atje, për t’i dhënë çdo zyre fytyrën e ambicieve tona”, – tha Rama.

Ministrja e re Belinda Balluku, është drejtorja aktuale e Albkontrollit dhe sipas Ramës, i ka të gjitha atributet për ta drejtuar me sukses këtë ministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.