Ata që kanë 5 vite në kabinet, lënë detyrën sot

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ “Ata që kanë 5 vjet në kabinet do ia lënë vendin të tjerëve dhe kanë një falënderim të posaçëm”, – tha Kryeministri Edi Rama, ndërsa ftoi anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe publikun t’i shohin ndryshimet në Qeveri jo si rezultat i dështimit, por si pjesë e reflektimit dhe kapërcimit të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do çojnë në fitoren e mandatit të tretë. Duke folur për ndryshimet që do të ndodhin në Qeveri, Kryeministri Rama, theksoi se studentët “na kanë dhënë mundësinë që ne të lexojmë mesazhet për të marrë mandatin e tretë, jo për vete, por për ecjen përpara të vendit”.

“Nuk diskutohet që ministrat që do largohen sot kanë një rol tejet pozitiv në gjithçka që ne kemi bërë dhe në transformimet që kemi sjellë”, – theksoi Rama.

Sipas tij, do ishte absolutisht e pavërtetë nëse të thuhej që ndryshimi sot vjen si rezultat i dështimit. “Vjen si nevojë për të adresuar dhe për të zgjeruar kapacitetet tona në qendër dhe në terren, kapacitetin qeverisës të vendit dhe atë komunikues në çdo nivel”, – tha ai.

Ai i cilësoi ministrat në ikje si një pjesë e mirë e familjes socialiste, gjeneratë drejtuesish që kanë shumë për t’i dhënë Shqipërisë, në qeveri e në parti në të ardhmen. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.