Ministria e Mbrojtjes, festë për fëmijët e efektivëve të Batalionit I të Këmbësorisë

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Nën kujdesin e veçantë të ministres së Mbrojtjes dhe Qendrës së Kulturës, fëmijët e efektivëve të batalionit të parë të këmbësorisë (b1k) në Vaun e Dejës, morën pjesë në një aktivitet të organizuar enkas për ta me rastin e festave të fundvitit.

Fëmijët u bënë pjesë e një programi artistik me këngë, vjersha dhe kërcime, ndërkohë që u argëtuan edhe nga animatorë dhe personazhe të dashur për ta.

Në festë morën pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Koçi u shpreh se për shkak të rutinës së punës nuk arrijmë ta kuptojmë pushtetin dhe forcën e fëmijëve. “Në fakt, imagjinoni sikur festat të ishin pa fëmijë, ato do të ishin të zbehta. Sepse këta kanë fuqinë, këta kanë forcën dhe pushtetin e gëzimit sepse ata janë në gjendje që ta prodhojnë atë në çfarëdo lloj kushtesh. Dhe është detyra jonë që t’i mbështesim, sepse në fund të fundit fëmijët janë garancia që rendi njerëzor i jep të ardhmes”, tha ai.

Megjithëse jo e pranishme në festë, nuk mungoi edhe urimi i ministres Xhaçka, ku në një letër drejtuar fëmijëve dhe efektivëve të këtij batalioni, u uron festat e fundvitit.

Në përfundim, për gjithë fëmijët e efektivëve, u shpërndanë dhurata.

Pjesë e festës u bë edhe njëri prej punonjësve më të vjetër, Kiço Deçi, i cili u surprizua nga zëvendësministri dhe të gjithë të pranishmit, të cilët e uruan në ditën e tij të lindjes. /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.